Zhelinë, banorët: 'Kreu i komunës nuk ka përmbushur premtimet'

alsatmtv 2015-08-21

Views 10

Ujësjellësi në fshatin Uzurmisht, një pjesë e infrastrukturës në Llërcë dhe fshatin Grupçin si dhe ndërtimi i disa shkollave fillore, janë vetëm disa nga projektet që komuna e Zhelinës, ende nuk i ka filluar përkundër premtimeve të dhëna gjatë fushatës parazgjedhore nga Kryetari i Komunës Fatmir Izairi. Më të zëshëm në shprehjen e pakënaqësisë janë banorët e fshatit Uzurmisht të cilët një kohë të gjatë po përballen me mungesën e ujit për pije.
"Ujë nuk kemi, uji s'na bën, tjetër asgjë s'ka bë".
"Ssgjë nuk kanë investuar, pikësëpari uji na duhet, kanalizimi na duhet, për këto kemi nevojë".
"Hiç sytë s'ia kemi pa, por edhe nuk jemi ngushtë për të, se vet jemi të organizuar".
"Për kryetarin e Komunës çka tu them, nuk kam pa ndonjë përmirësim interesant".
Kryetari i komunës Fatmir Izairi, për problemin e ujit fajëson banorët dhe drejtuesit e bashkësisë lokale të fshatit Uzurmisht të cilët siç shprehet nuk kishin dorëzuar projektin e nevojshëm. Izairi thotë se gjatë mandatit të tij ka realizuar madje edhe investime që fare nuk kanë qenë në programin e tij parazgjedhor.
"Unë nuk premtova shkollën e Merovës, të Novosellës, tani po hapet procedura e ankandit edhe për Kopacindollin po ashtu dhe disa intervenime tjera nëpër shkolla. Sa i përket kulturës arsimit dhe sportit, në Uzurmisht rrethuam një fushë sportive, fushë ndihmëse sportive në Zhelinë. Kemi trasuar rrugën e zonës industrial në Zhelinë, vendbanimet që ishin si vende ku mundej të përhapet ndonjë epidemi, Pollatica, Treboshi dhe Uzurmishti kemi realizuar diku 11 kilometra rrjet të kanalizimit dhe ujësjellësit, u hapën dy puse në lokalitetin 'dy fazana' u shtua për shtat kilometra rrjeti i kanalizimit. Pra ne kemi bërë shumë më shumë nga ajo që kemi premtuar", deklaroi Fatmir Izairi, Kryetar i Komunës së Zhelinës.
Ndërkohë banorët e vendbanimeve tjera të komunës së Zhelinës shprehen me qëndrime të ndryshme sa i përket aktiviteteve të kreut të komunës në realizimin e premtimeve elektorale. Banorët e Pollaticës, Treboshit dhe Zhelinës theksojnë se aq sa ka pasur nevojë nuk është bërë.
"Nevojat janë shumë të mëdha, megjithatë çështjet kanë lëviz në aspekt pozitiv dhe kjo është për të përshëndetur".
"Nja 60 për qind e fshatit është pajisur me kanalizim, pjesa tjetër pritej të fillojë këtë vit por ende nuk kemi punime në fshat. Duke pasur parasysh kërkesat e njëpasnjëshme që i bëjmë neve në Komunë shumë pak na marrin parasysh".
"Punët që i ka premtua është duke i realizua, janë asfaltuar tre kilometër rrugë, është bë rrjeti i kanalizimit që për fshatin tonë ka qenë një ëndërr".
Ndryshe Komuna e Zhelinës ka 19 vendbanime me rreth 30 000 banorë. Një kohë të gjatë në këtë komunë nuk është realizuar asnjë projekt shkaku i borxheve të trashëguara. Bashkim Sulejmani

Share This Video


Download

  
Report form