Anulohet debati për 'branitellat'

alsatmtv 2015-08-21

Views 2

Anulohet puna e Komisionit për punë dhe politikë sociale ku po debatohen amendamentet e BDI-së rreth propozim-ligjit për branitellat të propozuar nga VMRO-DPMNE. Kryetarja e komisionit Cvetanka Ivanova dhe zëvendësja e saj, sot pasdite nuk kanë vazhduar seancën në fjalë. Paraprakisht në një deklaratë për media Ivanova është shprehur se nuk do të udhëheq me seancën ku shqyrtohen amendamentet e BDI-së. Kjo për shkak se kreu i Kuvendit Trajko Veljanoski ka thirrur për të mërkurën seancë të re të Komisionit për Punë dhe politikë sociale me pika të reja të rendit të ditës kryesisht nga fusha e punës dhe politikës sociale. Seancën e së mërkurës do ta udhëheq Mile Paçemski, anëtarë i komisionit nga radhët e VMRO-DPMNE-së.
"Si kryetare e Komisionit për punë dhe politikë sociale, me letër sot do ta njoftoj zotin Trajko Veljanovski se nuk kam ndërmend më tepër ta udhëheq seancën për punën dhe politikë sociale ku debatohet rreth ligjit për Branitellat dhe në të cilën po shqyrtohen 15 mijë amendamentet e parashtruara nga BDI-ja. Prej tani e tutje mbi kryetarin e Kuvendit bie obligimi për punë e Komisionit si dhe miratimi i ligjit për Branitellat", deklaroi Cvetanka Ivanova, LSDM.
Ivanova sa i përket Pr/ligjit për Branitellat shprehet se nuk lejon që të bëhet pjesë e një skenari të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së dhe paralajmëron se do të merr pjesë në seancën e së mërkurës, madje do të parashtrojnë edhe amendamente. Ndryshe gjatë paradites seanca e komisionit u zhvillua në një atmosferë pro dhe kundër miratimit të ligjit mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së.
"Ne jemi këtu që të bëhemi pjesë e zgjidhjes jo pjesë e problemit, zgjidhja është ashiqare. Fshati që duket nuk do kallauz thotë popullit, o tërhiqet ligji o dalim me një propozim ligj të ri të përbashkët të mbarë spektrit politikë", tha Xhevat Ademi, BDI.
"Ligji për Branitellat i miratuar në vitin 2002, ka pësuar ndryshime në 2003, 2004 dhe vitin 2007. Sinqerisht mua më habit fakti pse kaq rezistencë tani kur një ligj i tillë tanimë ekziston. Bindje e ime personale është se kjo është vetëm për pikë politike pra zgjedhjeve dhe asgjë tjetër", tha Vele Georgievski, VMRO-DPMNE.
"Nëse thoni që ka pas ligj, pse atëherë propozoni ligj të ri. Nëse thoni se BDI këtë kundërshtim e bën për motive politike, nuk e bëjmë vet ne, e bëjmë bashkë me gjithë spektrin politik shqiptarë dhe fitorja kundër këtij propozim ligji të keq, nuk do jetë sukses vetëm i BDI-së do jetë sukses i gjithë spektrit politik shqiptarë dhe gjithë qytetarëve shqiptarë", u shpreh Xhevat Ademi, BDI.
Ndryshe sot është debatuar rreth amendamentit të 33 me radhë. Bedri Rexhallari

Share This Video


Download

  
Report form