Argjendaria në qendër të qytetit të Fierit është bërë pre e grabitjes së ndodhur mesditën e sotme.
Mesohet se tre të rinj të armatosur me automatik dhe me maska kanë hyrë në argjendarin e shtetasit Maksim Gjeci, dhe i kanë kërkuar atij paratë dhe bizhuteritë në stendë.
Refuzimi për të plotësuar kërkesat e grabitësve ka agravuar me tej situatën. Pronari fillimisht është konfrontuar fizikisht me hajdutët, dhe këta të fundit e kanë qëlluar me tytën e automatikut në kokë.
Pronari i argjendarisë ka përfunduar pa ndjenja në dysheme ndërsa vjedhësit kanë mundur të marrin një sasi të konsiderueshme bizhuterish dhe të largohen në drejtim të paditur.
Menjëherë pas kësaj ngjarje në argjendari kanë hyrë kalimtarë të rastit të cilët kanë dërguar pronarin e saj ne ambulancën më të afërt, ku ka marrë mjekimin e parë dhe është rikthyer në ambjentet e argjendarisë.
Uniformat blu kanë filluar punën për mbledhjen e provave, ndërsa kanë marrë edhe dëshminë e pronarit të argjendarisë, cka pritet të ndihmojë policinë në indetifikimin e grabitësve. Argjendaritë në qëndër të qytetit të Fierit edhe më parë kanë rënë pre e grabitjeve të dhunshme.