ASTI- Policia italiane ka arritur të shkatërrojë një bandë ndërkombëtare të trafikut të kokainës. Banda drejtohej dhe përbehej nga shqiptarë. Aktualisht janë 31 të arrestuar, mes tyre 14 shqiptarë, pjesëtarë të bandës.
Trafiku i kokainës kryhej në veri të Italisë, në Asti. Në operacionin e kapjes së anëtarëve të bandës u përfshinë 300 policë të komandës të ASTI-t dhe Val D'Aosta-s.
Hetimet e kryera deri më tani kanë çuar në sekuestrimin e 2.5 kilogramëve kokainë. Rezulton se në tërësi shqiptarët trafikuan 31 kilogramë kokainë, në vlerë 10 milionë euro.
Sipas policisë italiane, droga vinte nga Hollanda dhe hynte në Itali nëpërmjet kufirit të veriut. Më pas lënda narkotike, e llojit kokainë, tregtohej në Asti, Udine, Brescia, Savona, Xhenova, Piza, Parma dhe Milano.
Rrjeti drejtohej nga tre shtetas shqiptarë: Shahinaj Vexhi dhe Sajmir Guradeci (aktualisht të arrestuar në Francë) dhe një i tretë ndodhet aktualisht i arrestuar në Shqipëri.