BULQIZE- Minatori që humbi jetën pak ditë më parë në minierat e Bulqizës nuk është nxjerrë nga nëntoka për më shumë se 4 orë. Minatori Bujar Suroqi, 51 vjeç humbi jetën këtë diel pasi u rrëzua aksidentalisht nga ashensori që transporton minatorët nga një nivel në një nivel tjetër të minierës.
Sipas familjarëve, dyshohet se minatori ka humbur jetën rreth orës 13.00 të datës 16 qershor, dhe jo rreth orës 17.00 siç është deklaruar edhe nga policia.
Familjarët e tij kërkonin kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore, pasi sipas tyre trupi i të afërmit të tyre ishte lënë për katër orë nën tokë, madje sipas tyre kufoma është nxjerrë në sipërfaqe pothuajse i copëzuar, për shkaqe ende të paqarta.