TIRANE - Tani që zgjedhjet po afrohen, mediat kryesore në botë kanë nisur që të raportojnë për to, duke kërkuar madje akreditim pranë KQZ. Gjigandi britanik, BBC, ka sjellë dje për lexuesit e saj një rubrikë me pyetje-përgjigje në lidhje me zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. "Edhe këtë herë fushata ka qenë e hidhur. Ka një mosmarrëveshje në lidhje me përfaqësimin e opozitës në KQZ, pikëpyetje në lidhje me besueshmërinë e listave të zgjedhësve si dhe akuza për blerjen e votave dhe presion të qeverisë mbi punonjësit e sektorit publik", shkruan BBC. Sipas rrjetit britanik, programet e dy partive janë të ngjashme. Ato mbështesin integrimin në BE dhe premtojnë zhvillim ekonomik, reformë në taksa dhe krijim vendesh pune. Në lidhje me pyetjen se a do të jenë këto zgjedhje të lira dhe të ndershme, BBC thotë se çështja kryesore qëndron tek KQZ-së, që po operon pa opozitën.