FIER - Punonjësit e ARMO-s kanë dalë edhe sot në protestë me një peticion drejtuar kryeministrit aktual dhe atij që do të vijë për kërkesat e tyre dhe duke marshuar drejt rrugës kombëtare Fier -- Vlorë, por pa e bllokuar atë.
Gjatë githë kohës ata kanë qënë të shoqëruar nga policia, e cila ka deklaruar se protesta e tyre ka qënë korrekte dhe nuk e ka shkelur lejen e dhënë nga policia, ku nuk lejohej bllokimi i rrugës.
Qindra punonjës të Rafinerisë së Naftës Fier si dhe ata të kombinatit e uzinës së përpunimit të thellë të naftës në Ballsh, ashtu si dhe ditët e tjera, kanë dalë nga ambientet e Rafinerisë duke u stacionuar rreth 100 metra larg saj.
Thirjet e tyre të zakoshme të hedhura në këto protesta kanë qënë: "Mos luani me të ardhmen tonë", "zhbllokoni llogaritë", "Të largohen tatimorët" e të tjera.
Më pas, drejtori i Uzinës së Ballshit, Aurel Stavre, ka lexuar një peticion drejtuar Kryeministrit Sali Berisha, Kryeministrit të ri pas zgjedhjeve të 2013-ës, trupit diplomatik të ministrisë së Financave dhe asaj të Ekonomisë si dhe mediave.
Në këtë peticion kërkohej zhbllokimi i situatës së krijuar në Rafineri, zhbllokimin e llogarive bankare të shoqërisë, kthimin e naftës bruto në Rafineri, heqjen e taksës doganore në naftën bruto 10%, rishikimi i akcizave dhe të tjera.
Më pas, protestuesit kanë lëvizur dhe janë nisur në drejtim të rrugës nacionale Fier - Vlorë.
Orë më vonë u njoftua se prefekti i Fierit, Shpëtim Murta, do të takohet në orën 14:00 në prefekturë me drejtuesit e e kësaj shoqërie. Është lënë që nesër, rreth orës 10:00 të protestohet pranë prefekturës, por kjo është në varësi të lejes së policisë.