Ministria për Shoqëri Informative dhe Administratë do të ulë gjobat për shkelësit e Ligjit për media dhe Ligjit për shërbime audiovizuele. Ky vendim, sipas ministrisë ka ardhur pas dy debateve publike në Kuvend, dhe dëgjimin e vërejtjeve dhe sugjerimeve të pjesëmarrësve.
"Pas mbajtjes së debateve publike për Ligjin për media dhe Ligjin për shërbime audio dhe audiovizuele në Komisionin për transport, lidhje dhe ekologji pranë Kuvendit të Maqedonisë më 29 dhe 30 qershor, dhe pas shqyrtimit të vërejtjeve dhe sugjerimeve të propozuara nga pjesëmarrësit në debat, Ministria e Shoqërisë Informative dhe Administratës vendosi uljen e gjobave për shoqatat radiodifuzive për shkeljen e Ligjit gjatë punës së tyre", thuhet në komunikatën e ministrisë.
Vendimi për atë se sa do të zvogëlohen dënimet për shkelësit e Ligjit për media dhe Ligjit për shërbime audio dhe audiovizuele do të miratohet pas mbajtjes së debatit publik për dy ligjet të paraparë për 13 gusht të këtij viti. Nga ana tjetër, edhe pas dy debateve publike nuk do të preken dispozitat ligjore për të cilat ka reaguar Shoqata e Gazetarëve, ekspertët e mediave dhe opozita. Vërejtje të ngjashme për Ligjin për media dhe Ligjin për shërbime audiovizuele ka drejtuar edhe OSBE-ja. Por edhe vërejtjet e ndërkombëtarëve, si ata të opinionit vendas, nuk ishin të mjaftueshme për Ministrinë e Shoqërisë Informative që të tërheq apo ndryshojë ligjin për media. Madje, Ministri Ivo Ivanovski në disa raste u mundua që të mos shpalosë apo "ti lexojë ndryshe" vërejtjet e OSBE-së. Benjamin Arifi