TIRANE - Babai i "Zonjës së Parë" Odeta Nishani, është një nga pronarët trashëgimtarë të një pasurie që përfshin "Bar Restorant Sarajet" dhe 1500 metra truall deri në rrugën para oborrit të Partisë Demokratike. Trashëgimtarët e ligjshëm të kësaj prone janë familjet Kazazi dhe Kosova, të cilat kanë degëzuar trashëgimtarët e tyre.Ali Kosova, babai i Odeta Nishanit, është pjesëtar i kësaj trashëgime.
Gazeta Tema ka siguruar dokumentet hipotekore dhe origjinën e pronës, e cila është e ligjshme, si trashëgimi që buron nga një pronë e regjistruar me nr. 878 më 4 nëntor 1943 në pronësi të Mustafa e Hamza Kosovës, të cilët janë djemtë e Osman Kazazit dhe Fehmi Kazazit.
Ali Kosova, babai i Odeta Nishanit, është djali i Mustafa Kosovës, që e ka zotëruar këtë pronë deri në vitin 1947. Ali Kosova e ka fituar pronën përmes një vendimi gjykate të vitit 1999, i cili kundërshton një vendim të mëparshëm të kthimit të pronave që njihte pronarë vetëm familjen Kazazi. Pas këtij vendimi prona është ndarë në dy pjesë mes familjes Kosova dhe Kazazi.