BDI-ja mban autorësinë e idesë që Brukseli duhet të përfshihet në bisedimet mbi çështjen e emrit, edhe pse akoma nuk ka përpiluar një strategji se në çfarë forme do të ndodhë kjo. Megjithatë sipas zv/kryeministrit për çështje evropiane Fatmir Besimi, i cili është pjesë e delegacionit të BDI-së në turin diplomatik në disa vende europiane, angazhimi i parë më aktiv i BE-së pritet të ndodhë menjëherë pas publikimit të raportit të progresit. Besimi tha se kreu i BDI-së insiston në përfshirjen aktive të Brukselit por edhe qendrave të tjera vendimmarrëse evropiane me qëllim që problemi njëzetvjeçar, këtë vit të kurorëzohet me zgjidhjen përfundimtare.
"Në institucionet e BE-së u has një mirëkuptim për këtë ide, normalisht që në kuadër të kompetencave të tyre do të shihen forma të ndryshme të mundshme për një proces më intensiv lidhur me emrin, dh kjo ashtu siç pritet mund të jetë diku pas shpalljes së raportit të tetorit, do të vazhdojnë takimet e këtij lloji. Atë që arritëm si bisedime në Bruksel dhe në Francë, që të japin një shtytje këtij procesi jashtëzakonisht të rëndësishëm.. Sa i përket formës së angazhimit ajo do të jetë temë që do të analizohet në periudhën që vijon. Me rëndësi është që ata e pranuan mesazhin nga Ahmeti lidhur me rëndësinë e kyçjes edhe të BE-së dhe NATO-s dhe vendeve anëtare me qëllim që të lehtësojnë procesin. Kjo ka qenë një praktikë, formulë e suksesit si në Marrëveshjen e Ohrit ashtu edhe në marrëveshjen mes Beogradit dhe Prishtinës", deklaroi Fatmir Besimi, zv/kryeministër për çështje evropiane.
Sipas zv/kryeministrit Besimi, sinjalet nga Brukseli lënë të kuptohet se raporti i progresit do të jetë pozitiv dhe se rekomandimi për datën e negociatave, do të përsëritet. Megjithatë, si sfidë kryesore të vendit, në raport pritet të shënohen reformat për sa i përket kodit zgjedhor, në sistemin gjyqësor, dialogu me mediat si dhe marrëdhëniet ndëretnike.
"Si vlerësim i përgjithshëm që tani sundon gjatë bisedimeve është që Maqedonia edhe këtë vit mund të pres që të ketë rekomandim për datë, por mbetet që në këtë drejtim të punohet deri në 16 tetor pa ndërprerje", tha Fatmir Besimi, zv/kryeministër për çështje evropiane.
Delegacioni i BDI-së i udhëhequr nga kreu i partisë Ali Ahmeti e vazhdon sot turin diplomatik në Hagë, ku do të pritet nga Ministri i Jashtëm i Holandës si dhe përfaqësuesit e Komisionit parlamentar për politikë të jashtme. Pas Hagës, Ahmeti do të kthehet sërish në Bruksel për të takuar përfaqësues të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Semra Jakupi