Edhe në kalimin kufitar mes Maqedonisë dhe Kosovës, në Bllacë, shpërfillet përdorimi i gjuhës shqipe. Në pikëkalimin e riparuar, sot janë vendosur edhe tabelat e reja, por në to mungon gjuha shqipe, edhe pse ligji obligon institucionet për përdorimin e saj.
"Gjuha shqipe është anashkaluar edhe në kalimin kufitar Bllacë. Në pjesën e re të kufirit, në tabelat e vendosura shihen mbishkrime vetëm në gjuhën maqedonase dhe angleze".
Doganat e Maqedonisë janë institucioni përgjegjës për përfundimin e punimeve në vendkalimin kufitar, ku përfshiheshin edhe tabelat orientuese. Zyrtarët e Doganave nuk e panë të udhës të përgjigjen për televizionin Alsat nëse bëhet fjalë për ndonjë lëshim, apo thjesht shpërfillje të gjuhës shqipe.
Ndërkohë si krahasim, vetëm 100 metra më larg, në kufirin kosovar qëndron një tabelë në tre gjuhë, përfshi edhe gjuhën serbe e cila madje është përdorur para gjuhës angleze. Një praktikë e tillë e kolegëve kosovarë nuk ia vret syrin Doganës së Maqedonisë, e cila sikurse në mbishkrimet e vjetra, edhe në ato të rejat vazhdon të mos përdorë gjuhën shqipe. Doganat, por edhe institucione të tjera, vazhdojnë të shkelin Kushtetutën e cila i obligon mbarë institucionet që krahas gjuhës maqedonase të përdorin edhe gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare. Madje edhe në aspektin e funksionimit praktik, mungesa e gjuhës shqipe mund të paraqesë problem për kosovarët të cilët nuk e flasin gjuhën angleze ose atë maqedonase.
Anashkalimi i gjuhës shqipe do të lërë nën hije punimet në këtë vendkalim kufitar, që janë në fazën finale dhe pritet të përfundojnë javën e ardhshme. Për riparimin e këtij vendkalimi kufitar janë shpenzuar rreth 1,5 milion euro, pjesa më e madhe prej të cilave të financuara nga Banka Botërore. Benjamin Arifi