KSHZ-ja akoma nuk i përmbush të gjitha kapacitete për të marrë nën menaxhim dhe azhurnim listën zgjedhore. Ky është konstatimi i OSBE-së i dalë pas një studimi dhe analize të thuktë disa ditore. Vlerësimi u bë publik gjatë prezantimit të raportit mbi vlerësimin e Listës zgjedhore. Ekipi i OSBE-së, nën udhëheqjen e Zoran Gjokoviq ka konstatuar se lidhur me Listën Zgjedhore, KSHZ-së i duhet domosdoshmërish ndihmë nga organet e tjera, siç janë Ministria e Brendshme, ajo e Drejtësisë dhe Enti i Statistikës.
"Në përputhje me nenin 41 (2) të Kodit Zgjedhor, KSHZ-ja është përgjegjëse për mbajtjen e regjistrit të zgjedhësve, nga i cili nxirren listat zgjedhore. Mirëpo edhe pasi kompetenca për regjistrimin e votuesve u transferua nga Ministria e Drejtësisë në KSHZ në vitin 2009, KSHZ-ja akoma nuk i ka resurset përkatëse për ta menaxhuar regjistrin e zgjedhësve dhe për të përpiluar listat zgjedhore pa përkrahje të jashtme", deklaroi Zoran Gjokoviq, OSBE.
Megjithatë partitë politike opozitare ndajnë mendimin se pavarësisht pastrimit apo menaxhimit të listës zgjedhore nga KSHZ-ja e cilido institucion tjetër, pa vullnet politik zgjedhjet nuk mund të jenë të lira dhe demokratike.
"Përcaktohemi për opsionin që nënkupton ndërtimin e kapaciteteve të KSHZ-së edhe teknike edhe juridike, në mënyrë që KSHZ-ja të marrë plotësisht udhëheqjen dhe azhurnimin e Listës zgjedhore. Është e domosdoshme fshirja e votuesve fiktiv të cilët për fat të keq janë real dhe të pranishëm në listën zgjedhore. Janë persona të cilët realisht nuk jetojnë në adresat ku figurojnë të regjistruar", tha Damjan Mançevsi, LSDM.
"Kjo që konstatohet sot vetëm se vërteton dhe konstaton edhe një gjë tjetër, se problemi për sa i përket azhurnimit të listave nuk është problem teknik por shndërrohet në problem politik. Dhe këto Institucione MPB, Ministria e Drejtësisë dhe Enti i Statistikës shërbejnë vetëm si instrument, mekanizma në shërbim të qeverisë për ti kriju këto probleme dhe të kemi një listë zgjedhore me plotë votues fiktiv", u shpreh Bekim Fazliu, PDSH.
Ndërkohë nënkryetari i KSHZ-së Subhi Jakupi u shpreh se nevojitet një angazhim i të gjithë aktorëve politikë dhe përfaqësuesve të KSHZ-së, për një listë të besueshme zgjedhore.
"Të gjithë ne se bashku, që gjendemi në këtë forum, përfaqësues të institucioneve, partive politike dhe ne përfaqësues të KSHZ-së jemi përgjegjës për të pasur një listë zgjedhore të pastruar, një listë zgjedhore me të dhëna të sakta dhe njëkohësisht ne të gjithë se bashku të ndihmojmë në besueshmërinë e asaj që ne të gjithë e punojmë", theksoi Subhi Jakupi, BDI.
Studimi i përfaqësuesve të OSBE-së ishte në vazhdën e rekomandimeve nga misionet e mëparshme për vëzhgim të zgjedhjeve si përpjekje për të ndihmuar autoritetet vendore në implementimin e tyre. Bedri Rexhallari