Dita e sotme është një ditë historike për Shqipërinë dhe Kosovën.
Vendi i shenjtë i zanafillës së rilinjdes kombëtare shqiptare, aty ku gati 136 vjet më parë u mbajt Lidhja Shqiptare e Prizrenit, sot bashkon në një tryezë kabinetet e dy qeverive shqiptare ku do të miratohen disa marrëveshje ndërshtetërore.
Si për kryeministrin Rama ashtu dhe për kryeministrin Thaçi mbledhja e sotme është fillimi i një bashkëpunimi të ri, një epoke të re mes dy shteteve shqiptare, frymëzuar nga bashkëpunimi i kahershëm i vendeve të Beneluksit në këtë kohë të re që ka nisur për Europën juglindore
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka dashur të nënvizojë që në krye të herës se mes dy shteteve kufiri mes Shqipërisë e Kosovës është shumë i qartë e i patjetërsueshëm.
Mbledhja nisi në orën 11:00 kur Kryeministri Hashim Thaçi priti kryeministrin Rama duke i uruar mirëseardhjen para hotel "Theranda" ku u mbajt mbledhja e përbashkët. Ndërkohë qindra qytetarë por dhe një mëri gazetarësh janë vendosur para hotelit ku do të zhvillohet mbledhja e përbashkët mes dy shteteve, Shqipëri- Kosovë
RAMA: MBLEDHJA E PERBASHKET, NUK CENON KUFIJTE
"Pikënisje e një forcimi dhe modernizimit të shteteve tona, pasurimit të jetës sonë kulturore. Është e vërtetë që jemi më shumë se qytetarë të dy shteteve fqinje, i takojnë një kombi me një gjuhë kulturë të përbashkët, por nëse mbledhja e përbashkët bëhet arsye trembjeje apo inkurajimi për këdo që ka shqetësime në lidhje me vijat kufitare dua të them se kufiri mes Shqipërisë e Kosovës është shumë i qartë e i patjetërsueshëm"
THACI: MOMENT I RENDESISHEM, MARREDHENIET MES DY SHTETEVE SHEMBULL PER RAJONIN
Kryeministri Thaçi tha se ndihej i privilegjuar që ishte në këtë mbledhje që ishte tepër e rëndësishme për dy vendet.
"Qëllimi i këtij takimi mes dy qeveri ka qenë përshpejtimi dhe zgjerimi i thellimit të bashkëpunimit bilateral për marrëveshjet e reja. Rruga e Kombit duhet të rezultojë me një qarkullim më masiv të njerëzve. Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit duhet të përkthehet në një investim më të madh për dy shtetet, dhe do plotësojnë njëra tjetrën.
Ka vullnet të bollshëm politik që marrëdhëniet mes dy shteteve tona të jenë shembull për rajonin. Ndonëse jemi në një familje nuk do të thotë që lidhjet të mos kultivohen prandaj është momenti që të kultivohen dhe nevojiten moment të tilla për të çementuar këto marrëdhënie."- tha Thaçi.