"Këto janë punimet e investitorit grek Kontominas në vendin e Burmali Xhamisë. Burmali Xhamia mund të mos ndërtohet së shpejti, por edhe investimet e investitorit grek janë vënë në pikëpyetje pas arrestimit të tij në Greqi"
Dimitris Kontominas, ndërtues i hotelit në qendër të Shkupit, bashkë me 2 persona të tjerë është arrestuar ditën e djeshme në një aksion të madh të policisë greke në Athinë dhe Selanik. Kundër 7 personave të tjerë është lëshuar flet-arrest. Biznesmenët grekë dyshohen për huamarrje të paligjshme në Postbank, skandal i cili u zbardh nga mediet greke. Hetimi për këtë skandal kishte filluar më 3 qershor të vitit të kaluar. Akuzat ndaj tij dhe të dyshuarve të tjerë kanë të bëjnë me mashtrim ndaj shtetit për më tepër se 150 mijë euro, mashtrime të tjera në vlerë prej mbi 30 mijë euro, pjesëmarrje në mashtrim, legalizim të të hyrave nga aktivitete ilegale, larje parash dhe të ngjashme.
Kontominas është i njohur për opinionin në Maqedoni si pronar i televizionit Alfa, parcelave atraktive në Shkup dhe aksioneve në Telekomin e Maqedonisë. Megjithatë më i përfolur nga bizneset e tij ishte hoteli që filloi të ndërtohet në Qendër të Shkupit, pikërisht në vakëfin që më herët i përkiste Burmali Xhamisë. Trualli në të cilin po ndërton Kontominas kohë të gjatë është mollë sherri dhe objekt kontestimi mes Bashkësisë Islame dhe Qeverisë të Maqedonisë. BFI-ja ishte shprehur se pavarësisht fillimit të ndërtimeve, ata asnjëherë nuk kishin hequr dorë nga trualli i Burmali Xhamisë.
Nuk dihet se cili do të jetë fati i investimeve të Kontominas në Maqedoni, përfshi këtu edhe hotelin në vendin e Burmali Xhamisë. Një pasqyrë më e qartë do të dihet vetëm pas sjelljes së verdiktit final nga Gjykatat greke. Nga ana tjetër nuk ka reagim as nga Qeveria e Maqedonisë dhe as nga Ministria e Brendshme, duke ditur se Kontominas ishte biznes partner i Qeverisë, me disa ndërtesa në kuadër të projektit Shkupi 2014. Benjamin Arifi