TIRANË- Partia Socialiste nëpëmjet deputetes Ermonela Felaj ka reaguar ndaj akuzave të PD-së se mazhoranca po fsheh krimet në vend. Në një deklaratë nga selia rozë, deputetja Felaj akuzoi opozitën se prej disa muajsh është kthyer në zëdhënëse të lajmeve të kronikës së zezë dhe "po bën politikë dhe aleancë me krimin".
"E vetmja gjë që bëjnë është të monitorojnë lajmet dhe sa herë ndodh një aksident, apo një krim, me vrap dalin në ekran për t'ia përcjellë lajmin publikut, a thua se përndryshe media nuk informon", tha Felja në një deklaratë për mediat.
Sipas saj, e vërteta është se, "koha kur Ministria e Brendshme mbante të fshehta shifrat e kriminalitetit ka ikur, që nga dita kur zoti Ristani dhe zoti Flamur lanë pushtetin pas 1 milion shuplakave."
Në vijim, ajo deklaroi se opozita nuk mund të luaj me të plagosurit dhe të vdekurit duke i trajtuar vetëm si shifra.
Ajo tha se," qeveria shqiptare është e vendosur të rivendosë rendin dhe sigurinë në vend, që e la si mos më keq qeveria e Saliut, Lulit dhe Ristanit."
Seriozitetin e punës së strukturave të policisë, sipas deputetes, e tregoi edhe aksioni i suksesshëm që çoi në pranga autorin e krimit te djeshëm.