Ministria e Mbrojtjes promovoi pilotët e rinj

alsatmtv 2015-08-21

Views 2

Ushtrisë së Maqedonisë prej sot i janë shtuar edhe 4 oficerë të rinj, përkatësisht pilotë të trajnuar sipas standardeve ndërkombëtare. Ministri i Mbrojtjes Talat Xhaferi tha se dikasteri që ai drejton, prej sot përfshihet në zbatimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara për barazi gjinore pasi nga katër pilotët e rinj, njëra është femër. Xhaferi gjithashtu tha se pilotët e rinj janë sukses i Qendrës për trajnimin e Pilotëve e cila mundëson të gjitha kushtet për trajnime të tilla.

"Para disa ditësh përuruam edhe objektin e ri shumë-funksional të Qendrës për Trajnim të Pilotëve në të cilën është ndërtuar sistemi më i sofistikuar bashkëkohor i automatizuar dhe i pajisur me simulator për fluturim me helikopter Mi-17 dhe Mi-24. Fluturimi i simulatorëve paraqet dimension të ri në trajnimin e pilotëve dhe siguron mirëmbajtje të grupit të pilotëve", deklaroi Talat Xhaferi, Ministër i Mbrojtjes.

Ndërkohë nga partia e Lubço Georgievskit, e cilësojnë si të dështuar e madje të dëmshëm për qytetarët, projektin qeveritar për Qendrën e Trajnimit të Pilotëve. VMRO Popullore thotë se të gjithë helikopterët që ka Maqedonia nuk vlejnë 43 milion euro, aq sa u investua për këtë qendër.

"Projekti duket si shumë bashkëkohor dhe patriotik por nëse hiqet një paralele me vlerën e të gjithë helikopterëve që ka Maqedonia, do të shohim se ata vlejnë më pak nga shuma e 43 milion eurove të harxhuara nga qeveria për këtë projekt. Për VMRO-Populloren, ky është edhe një projekt i madh dhe i dështuar i Qeverisë e cila edhe këtë herë projektin në fjalë e realizoi përmes një kredie të shtrenjtë bankare, të cilën do ta paguajmë shtrenjtë, së bashku me kamatën e saj", thuhet në reagimin e VMRO-Popullore.

Megjithatë, nga Qeveria thonë se nevoja për trajnimin e pilotëve të rinj është e madhe. Ministri Xhaferi theksoi madje se në vitet e ardhshme do të trajnohen gjithsej edhe 52 pilotë për nevojat e brigadës së aviacionit. Valmir Kuçi

Share This Video


Download

  
Report form