LSDM e BDI kanë dërguar ankesat në Gjykatën administrative pas vendimit negativ nga ana e KSHZ në lidhje me përfshirjen e votuesve fiktivë në listën zgjedhore. Ndryshe nga veprimi i KSHZ-së, BDI pret vendim pozitiv nga ana e gjykatës për shkak të argumenteve që i posedojnë. Gjykata duhet të deklarohet rreth ankesave në afat prej 24 orëve nga pranimi i tyre.
"Pas refuzimit të ankesës sonë nga KSHZ në afat prej 24 orësh ne kemi përgatit ankesën dhe veç më kemi dërguar në gjykatën administrative dhe presim përgjigje pozitive nga gjykata administrative pasi mendojmë se argumentet janë në anë tonë", tha Bujar Osmani, BDI.
Por nga LSDM nuk presin ndonjë vendim pozitiv nga gjykata administrative për shkak të punës së gjykatave në përgjithësi në vend. Pavarësisht kësaj, ata shpresojnë që qytetarët ta thonë fjalën e vet gjatë dhënies së votës siç bënë edhe në zgjedhjet lokale konkretisht në komunën Qendër.
"Sigurisht se do ta shfrytëzojmë mundësinë ligjore të dërgojmë ankesë te gjykata administrative për vendimin e KSHZ ku për fat të keq u vendos përmes mbivotimit dhe parimit politik dhe hodhen poshtë vërejtjet tona për listën zgjedhore. Nuk u morë parasysh ligji, situata faktike në teren... ashtu që ne jemi të detyruar të dërgojmë ankes te gjykata administrative..të jemi të sinqertë duke par se si vendosin të gjitha gjykatat në Maqedoni përfshirë edhe gjykatën administrative nuk presim vendim pozitiv", u shpreh Damjan Mançevski, LSDM.
Ndryshe BDI konteston 453 votues të cilët përveç në Maqedoni janë paraqitur edhe në ambasadën e Maqedonisë në Tiranë për të realizuar të drejtën e votës, ndërsa LSDM dyshon se në listën zgjedhore ekzistojnë 26. 515 votues fiktivë. Lista Zgjedhore e cila duhej të përmbyllet sot, pritet të përmbyllet të hënën më 24 mars pas përfundimit të procedurave të ankimimit nga Gjykata administrative. Të hënën përfundimisht do të dihet numri i votuesve që do të votojnë në zgjedhjet presidenciale. Gjyltene Rexhallari