TIRANE - Djegia e flamurit grek shfaqi simbolikisht revoltën ndaj vrasjes së të dënuarit shqiptar në një nga burgjet e Greqisë.
Të rinj të Lëvizjes "Reago" kanë protestuar para ambasadës greke në rrugën "Naim Frashëri" dhe kanë djegur flamurin e vendit fqinj, duke kërkuar njëherësh zbardhjen e vrasjes së Ilia Karelit.
Ata i kanë kërkuar Ministrisë së Jashtme të vendit tonë t'i kërkojë llogari Athinës zyrtare për këtë krim, të cilin e kanë vlerësuar si një akt terrorist.
Forca të policisë kanë mbikqyrur protestën e cila është zhvilluar pa incidente.
42 vjeçari shqiptar Ilia Kareli humbi jetën në burgun grek të Nigritas, pasi vrau me thikë një gardian në burgune e Malandrinos, ku vuante dënimin.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se shkak i vdekjes kanë qenë torturat dhe dhuna e ushtruar ndaj tij prej gardianëve të burgut.
Kareli ishte dënuar me burgim të përjetshëm në Greqi për grabitje me pasojë vdekjen, ndërsa më 25 mars ai vrau një guardian të burgut me thikë pasi nuk e linin të takohej me të ëmën e tij.
Aktualisht për torturat e ushtruara ndaj Karelit kanë nisur hetimet, janë arrestuar dhe disa prej rojeve të burgut, por ende nuk ka përfunduar e plotë ekspertiza mjekoligjore.