TIRANE -- Katër persona, dy prej të cilëve të armatosur me kallashnikov, të veshur me kamoflazh, me maska në kokë kanë grabitur pikën e basteve sportive të kompleksit AML, të familjes së Arben Frrokut, në afërsi të ish kombinatit Misto Mame, në rrugën e Kavajës në Tiranë.
Autorët dyshohet të kenë grabitur rreth 10 mijë euro në lokalin e basteve dhe janë larguar me një automjet me targa të huaja. Mjeti është gjetur i djegur dhe i braktisur në pranë digës së liqenit të Kasharit, në afërsi të autostradës Tiranë-Vorë.
Shuarja e zjarrit me ujë nga zjarrëfikëset e Tiranës, kanë fshirë edhe ato gjurmë që mund t'i kishin shpëtuar flakëve në makinë.
Policia ngriti disa postblloqe duke përfshirë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, duke shoqëruar personat kontigjentë për kryerjen e veprave të tilla kriminale në zonën e Kasharit dhe Domjes.
Lokali sipas burimeve i përket familjes sw Arben Frrokut, i arrestuar dhe i pandehur për vrasjen kryekomisarit të policisë Dritan Lamaj.
Policia ka marrë në pyetje personelin e lokalit të lojërave të fatit për të patur një përshkrim të autorëve, si edhe ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë.