Arrestimi i 30 vjeçarit Gerti Pashja, i akuzuar si organizatori i rekrutimit të shqiptarëve drejt Sirisë është shoqëruar me dilema dhe habi nga bashkëfshatarët e tij në fshatin Fatishtë të Peqinit, në rrethin e Elbasanit.
Ata shprehen se Pashja nuk ka qenë person problematik dhe vjen nga një familje e rregullt, ndërsa nuk kanë dëgjuar kurrë prej tij të flitej mbi situatën në Siri e aq më tepër të bënte propaganda mbi rekrutime të mundshme të paktën për banorët e fshatit ku jetonte.
Në mikrofonin e Ora News banorët kanë shkuar edhe më larg, duke e cilësuar të gabuar arrestimin e tij pasi sipas tyre akuzat nuk janë të vërteta.
Për Gerti Pashja gjykata e Krimeve të Rënda dha masën e sigurisë arrest me burg pas operacionit të datës 11 mars të ndërmarrë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e Shtetit , ku u arrestuan 8 persona, dhe 5 të tjerë u shpallën në kërkim për akuzën si rrjeti që rekrutonte besimtarët myslimanë për luftën e xhihadit në Siri.