PDSH-ja ka akuzuar sot kreun e BDI-së Ali Ahmeti, për mashtrime dhe përulje para Nikolla Gruevskit, me qëllim të futjes së tyre në qeveri. Sipas PDSH-së, BDI-në e ka zënë paniku i mbetjes jashtë qeverisë, dhe madje as bisedimet që fliten, nuk janë të mirëfillta.
"Ky zotni duhet ta pranojë një të vërtetë që BDI-ja s'ka kurrfarë bisedimesh politike me VMRO DPMNE-në, por ka diçka tjetër, ka përulje, laritje me sjellje si të puthadorëve e sahanlëpirësve, duke u përbetuar para Gruevskit se BDI-ja nuk e ka votuar Pendarovskin, por Ivanovin edhe pse faktet flasin ndryshe", deklaroi Bekim Fazliu, PDSH.
Fazliu shprehet i sigurt se BDI-ja nuk do të jetë pjesë e qeverisë, për shkak se ajo është përfshirë nga afera korruptive dhe krime, veçanërisht gjatë zgjedhjeve.
"Shastisja e Alisë dhe BDI-së para Gruevskit dhe para VMRO DPMNE-së shpreh panikun e tyre të madh se mund të ngelin jashtë qeverisë. Ky panik vjen si rezultat i përfshirjes së tyre gjatë qeverisjes, në krime dhe korrupsion. Shtuar këtu edhe veprimet kriminale gjatë zgjedhjeve të fundit. Premtimi i Alisë dhe i BDI-së është shumë i vakët për t'i mashtruar shqiptarët se ata na qenkan dikush dhe se prej tyre varet ndonjë proces politik. E vërteta e madhe ju ka përmbyt. Përmbytja ju vjen nga Uashingtoni, Brukseli, Tirana e Prishtina", tha Bekim Fazliu, PDSH.
PDSH-ja i bën këto akuza pas nisjes së bisedimeve në nivel të grupeve të punës mes BDI-së dhe VMRO-së, për qeverinë e re. Bashkim Sulejmani