SHKODER- Rruga që lidh qendrën e komunës së Kastratit me autostradën Shkodër Hani i Hotit, është në një gjendje mjaft të rënduar. Edhe pse është vetëm 750 metra, kjo rrugë e njohur si "Rruga e Bajzës" është mjaft e amortizuar duke vështirësuar qarkullimin e banorëve por edhe duke ndikuar negativisht tek bizneset që gjenden përgjatë këtij aksi rrugor.
Kryekomunari i Kastratit Viktor Popaj deklaron se ka që nga viti 2011 u ka kërkuar qeverive qendrore që të ndërhyjnë për asfaltimin e kësaj rruge, por deri më tani situata është e njëjtë.
Rruga e Bajzës është amortizuar ndjeshëm gjatë ndërtimit të autostradës Shkodër- Hani i Hotit pasi të gjitha automjetet e tonazhit të lartë kanë lëvizur përgjatë këtij aksi nacional, duke dëmtuar në këtë mënyrë asfaltin.