A1 Report - Të vrasësh turistët është njësoj si një akt terrorist

Report TV 2015-08-22

Views 0

Përpara se të humbnin jetën Michael dhe Ana kishin postuar një foto të flamurit shqiptar në faqen e tyre të Facebook. Një foto e shkrepur mes maleve të Dukagjinit ku ata kishin ardhur për të vizituar me pasion dhe kureshtje dhe me krenari dëshironin që ta ndanin këtë përvojë me miqtë e tyre më të largët. Pak orë më pas Michael dhe Ana u vranë nga grup banditësh që ndërpreu rrugën e tyre të pushimeve.

Të vrasësh dy të rinj turistë të huaj natën përgjatë një rruge malore në radhë të parë është një akt I ulët burracakësh .Turistët e huaj konsiderohen si pjesa më e pambrojtur dhe më vunerabël e shoqërisë. Ata nuk njohin terrenin , nuk njohin njerëzit , nuk arrijnë të dallojnë kurthet e ngritura përgjatë rrugës së tyre . Por shpesh ata shndërrohen në ambasadorët më të mirë të vendeve të cilët i mirëpresin dhe që dinë ti mbrojnë, siç tregon dhe publikimi i fotos së flamurit shqiptar në Facebook-un e tyre. Nga ana tjetër turistët kanë me vete dhe burime të konsiderueshme ekonomike të cilat shkojnë në favor të ekonomisë së popullsisë lokale.
Të godasësh dy të rinj turistë nuk është vetëm një akt burracakësh kundrejt viktimave por është dhe një akt tradhtie ndaj vendit tënd. Madje edhe më shumë, është një akt terrorist sepse godet imazhin ndërkombëtar të vendit dhe dëmton ekonominë e vendit.

Jo pa qëllim terroristët e ISIS vrasin turistët e huaj në Tunizi , apo kryejnë masakra turistësh në Egjipt dhe pjesë të tjera të globit: sepse duke goditur turistët ata godasin në zemër edhe emrin e mirë të një shteti.

Padyshim që nuk do të jenë vrasjet e Dukagjinit ato që do të vënë në dyshim traditën shekullore të mikpritjes bujare shqiptare, simbol ky në të gjithë botën. Por kur policia të ketë kapur autorët e kësaj masakre që ndoshta kanë vrarë vetëm për të grabitur disa të holla, drejtësia do të duhet ti dënojë ata jo vetëm për vrasje por edhe për terrorizëm. Sepse ajo çfarë ndodhi në Dukagjin ishte e ngjashme me një akt të mirëfilltë terrorist.

Share This Video


Download

  
Report form