Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u shpreh në një konferencë për shtyp nga Kryesia e Kuvendit, se ka ftuar kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një takim për të diskutuar reformën në drejtësi. Meta tha se drafti duhet të kalojë në kalendarin 3-javor të punimeve të Kuvendit, ndërsa gjithashtu theksoi se duhet adresuar zgjidhja e miratimit të reformës. Meta tha se takimi duhet të zhvillohet deri ditën e hënën.
"I kam dërguar një ftesë kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për tu takuar me të në çdo kohë që ai e çmon të arsye, në çdo vend dhe në çfarë do lloj formati, por mundësisht deri në ditën e hënë", u shpreh Meta.
Kryeparlamentari Meta tha se politika është e vonuar me kalendarin e reformës dhe se ajo që duhet me domosdoshmëri është të ecet sa më shpejt drejt miratimit të draftit të ndryshimeve kushtetuese. "Jam i bindur se jemi tashmë të vonuar në kalendarin e reformës për ndryshimet kushtetuese të reformës në drejtësi e cila nuk është përfshirë deri tani për arsye të mos arritjes së kompromisit përfundimtar në komisionin e posaçëm të kësaj reforme. Jemi në një krizë me kohën. Na duhet të reflektojmë dhe të lëvizim sa më shpejt në mënyrë që ky proces të zhvillohet me cilësinë e duhur, sipas standardeve të Komisionit të Venecias dhe ekspertëve të EURALIUS e OPDAT", tha Meta.