Viti zgjedhor 2017 do të shënojë një rritje të fortë të shpenzimeve qeveritare për investime publike. Këshilli i Ministrave ka miratuar buxhetin afatmesëm 2017-2019, ku bie në sy se shpenzimet për rrugë, shkolla, ujësjellës e kanalizime do të rriten me 8.5% vitin e ardhshëm.
Për të tre vitet e qeverisjes së koalicionit shpenzimet për vepra publike kanë qenë mjaft të ulëta. Viti 2016 shënoi edhe kuotën më të ulët të tyre për 6 vitet e fundit, duke qenë se shpenzimet kapitale ranë në 59 miliardë lekë.
Por duket se situata e tyre do të ndryshojë dukshëm për vitin zgjedhor, kur qeveria ka planifikuar ta ngrejë zërin e shpenzimeve kapitale në 64 miliardë lekë.
Ajo që bie në sy në buxhetin afatmesëm është edhe rritja e dukshme e fondit të kontingjencës.
Për vitin zgjedhor 2017 ku fondi do të rritet në 3 miliardë lekë, nga 2 miliardë lekë në këtë vit.
Sa për fondin rezervë të Këshillit të Ministrave, ai nuk do të rritet për vitin 2017, duke mbetur në kuotën e 1 miliardë lekëve, por do të shkojë në 1.5 miliardë lekë për dy vitet e ardhshme.