Sekretari për aksionin qytetar në Partinë Demokratike, Ervin Salianji ka akuzuar kryeministrin Edi Rama si përgjegjës për krimet që ndodhin çdo ditë në vend. Ai është shprehur se Rama e ka kthyer Shqipërinë në Kolumbinë e Eurpës. Salianji është shprehur se edhe pse Partia Demokratike vijon denoncimet e vazhdueshme të shoqëruara nga provat, policia e nuk ka ndërmarrë asnjë operacion.
Deklarata e plotë e Ervin Salianjit
Partia Demokratike ka denoncuar prej muajsh me prova dhe fakte kthimin e Shqipërisë nga Edi Rama në Kolumbinë e Europës.
Prej 4 ditësh kemi denoncuar me video, foto, prova të dorës së pare, luginën e drogës në Vlorë. Prej dy ditësh kemi denoncuar me video, foto e prova hambarin e drogës në vendlindjen e Tahirit të Ramës, prej nga vijnë dhe pjesa më e madhe e krerëve të Policisë.
Edhe pse i treguam ne vend parcelat e me kanabis, asnjë mase, asnjë operacion. Arsyeja dihet, ky është biznesi qeveritar i Edi Ramës dhe Sajmir Tahirit. Ai bëhet nën mbikqyrjen e shefave të policisë, që janë sekserët e 30 përqindëshit për çdo parcelë.
Këto prova e dëshmi të siguruara e të publikuara nga Partia Demokratike, konfirmojnë atë që di çdo shqiptar: Pa lejen e Edi Ramës, askush nuk mund te bëjë një biznes të tillë kriminal. Ky biznes kërkon garanci e mbrojtje që në fazën e parë, kërkon garanci të vazhdueshme, kërkon që ligji të mos funksionojë, që policia të mos funksionojë.
Prej 3 vitesh këtë pushtet në Shqipëri, që ndalon ligjin të funksionojë, që ndalon policinë të funksionojë e ka pasur dhe e ka ushtruar Edi Rama.