Qeveria shqiptare, me një vendim të datës 15 shkurt, i cili ka hyrë në fuqi tetë ditë më vonë, zyrtarizoi nxjerrjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit nga mjegulla shtatëdhjetëvjeçare, duke hedhur një dritë mbi anën e errët të regjimit komunist, e cila ka trazuar dhe trazon të gjitha sferat e shoqërisë shqiptare, sidomos qarqet politike.
Në zbatim të këtij vendimi dhe afatit të parashikuar (prej 15 ditësh), Shërbimi Informativ Shtetëror, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes dhe disa autoritete të tjera publike i kanë dorëzuar Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, i quajtur ndryshe komisioni për hapjen e dosjeve, të gjithë materialin arkivor të krijuar nga ish-Sigurimi i Shtetit nga data 29 nëntor 1944 deri më 2 korrik 1991.
Për shkak se mjediset e autoritetit nuk janë përgatitur ende për të zhvendosur dosjet, autoriteti do të ketë akses në arkivat e institucioneve të lartpërmendura, për të mundësuar zbatimin e ligjit. Burime pranë komisionit thanë për Shqiptarja.com se, menjëherë pas marrjes së materialit arkivor, ka nisur puna me hapjen e dosjeve të para, për t?ju përgjigjur fluksit të kresave për informim mbi bashkëpunëtorët dhe të shënjestruarit e ish-Sigurimit të Shtetit.