Zjarret djegin 5 shtëpi në Mallakastër e Dropull

RTV KLAN 2017-08-11

Views 0

Tre banesa të fshatit Çorrush të Mallakastrës u dogjën nga zjarri.

Flakët përfshinë kodrat e fshatit, pasi një banor dogji disa mbetje bari dhe era e fortë bëri që situata t?i dilte jashtë kontrollit. Ai u shoqërua në polici.

Me mjete rrethanore, banorët u rreshtuan në krah të punonjësve të emergjencave, për të parandaluar përhapjen në banesa të tjera të fshatit.

Dhjetëra hektarë me ullishte nuk mundën të shpëtonin.

Era e fortë i përhapi flakët me shpejtësi.

Pas disa orësh zjarrfikësit e vunë situatën nën kontroll.

Dy shtëpi të tjera u dogjën në Dropull. Banesat e 6 fshatrave Frashtan, Lugar, Grapsh, Jorgucat, Zervat dhe Sofratikë janë ende të rrezikuara.

Zjarrfikësit me mjetet e tyre nuk kanë mundur të veprojnë për shkak të terrenit të thyer. Dy avionë Canadair të ardhur nga Greqia lëshuan sasi të mëdha uji.

U angazhuan edhe helikopterë.

Në qafën e Muzinës që u përfshi nga zjarret pasditen e të enjtes operacionet nga ajri vazhduan deri në orët e vona të pasdites. Zjarri i është afruar zonës turistike të Syrit të Kaltër.

Pamjet e flakëve që kanë pushtuar këtë zonë u postuan edhe në faqet e CNN dhe revistës Time.

Vatra aktive ka edhe në Tiranë, në Malin e Krrabës.

Në Dibër janë ende në rrezik shtëpitë e fshatit Vojnike.

Me zjarret po përballen edhe Emergjencat Civile të Lezhës.

Në të gjithë vendin janë regjistruar 280 vatra, të cilat në shumë raste ka rezultuar se ka qenë zjarrëvënie e qëllimshme dhe disa persona janë arrestuar.

Tv Klan

Share This Video


Download

  
Report form