EKSKLUZIVE - Prokuroria e Tiranës ka lëshuar një fletëthirrje për Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Burime për Report Tv konfirmojnë ekskluzivisht shkresën e Prokurorisë dhe pohojnë se Shkëlzen Berisha do pyetet për çështjen "CEZ". Por prokurori i çështjes Ardian Braho i kontaktuar nga Report Tv e ka mohuar dërgesën e një fletëthirrje për Shkëlzen Berishën.
Të njëjtin pohim bëri edhe kryeprokurori i Tiranës. Po ashtu burime pranë Shkëlzen Berishës thonë se ai deri në këto momente nuk e ka marrë një fletëthirrje të tillë. Megjithatë, burime për Report Tv ngulmojnë se fletëthirrja ka mbërritur në banesën e Shkëlzen Berishës ditën e djeshme, e cila është dërguar me postë.
Gjithashtu bëhet e ditur se fletëthirrje ka edhe për Nuel Kalajn, i njohur ndryshe si sekseri i negocimit të marrëveshjes për privatizimin e OSSH te kompania çeke "CEZ".