http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://instagram.com/vizionplustelevizion
https://twitter.com/VizionPlusTV
Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin për vetingun në polici ndërsa procesi parashikon vlerësimin e rreth 13 mijë punonjësve të uniformave blu. Në një deklaratë për mediat zv/ministri i brendshëm Julian Hodaj tha se procesi nuk ka si synim vetëm pastrimin e efektivëve të korruptuar.
?Vlerësimi kalimtar i punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA-së, nuk është thjesht fshesa e radhës. Padyshim pastrimi i radhëve është i rëndësishëm në kushtet brenda tyre ka elementë të prekur nga krimi dhe korrupsioni apo të paaftë. Gjithsesi, aspekti më i rëndësishëm i kësaj nisme është një tjetër: është promovimi i atyre që janë të ndershëm, të aftë dhe të përkushtuar, është çlirimi i energjive pozitive, sot disi të fjetura, tek pjesa e shëndoshë e institucioneve.?
Për të qenë sa më të paanshëm Hodaj tha se Ministria e Brendshme nuk do të jetë e përfshirë në proces.
?Ministria e Brendshme nuk do të pjesë e procesit e vlerësimit, për të garantuar pavarësinë, paanshmërinë dhe besueshmërinë e tij, përkundrejt punonjësve që vlerësohen apo përkundrejt publikut.?
Për sa i përket procesit të vlerësimit të punonjësve të policisë do të ndiqet modeli i përzier ku gradat e larta vlerësohen nga komisione të pavarura me punonjës të rekrutuar nga jashtë, ndërsa në nivelet e tjera komisionet integrohen me punonjës që e kanë kaluar me sukses vlerësimin. Gjithashtu partnerët ndërkombëtarë të policisë do të kenë rol monitorues.