Pas prezantimit të projektit të godinës së re të Teatrit Kombëtar nga Kryeministri Edi Rama dy javë më parë, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro tha se projekt-ideja e arkitektit Bjarke Ingels është ende në diskutim.
Deklaratën e bëri gjatë dëgjesës për Teatrin Kombëtar thirrur nga opozita në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Ministrja e Kulturës dha sqarimin e saj edhe për vendimin e Këshillit të Ministrave me numër 325 të një viti më parë.
Këto ishin dy pyetjet e vetme që mundi t'u përgjigjej Mirela Kumbaro. Pas 4 orë e 30 minuta, kohë e kaluar në debate mes anëtarëve të komisionit dhe pyetjeve të tyre, një deklaratë e kryetares së komisionit Albana Vokshi bëri që ministrja e Kulturës të largohej nga salla pa i dhënë përgjigje pyetjeve se çfarë do të bëhet me godinën dhe truallin ku ndodhet Teatri Kombëtar.