Albert Veliu, dëshmitari që akuzon akuzon Agron Xhafajn, vëllain e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, është marrë në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ai ka qëndruar për më shumë se 5 orë në zyrën e prokurorit Përparim Kulluri, i shoqëruar deri në hyrje nga dy perfaqësues ligjorë të Partisë Demokratike. 51-vjeçari u pyet si person që ka dijeni mbi audio-përgjimin e bërë publik nga Partia Demokratike ku pretendohet se ai komunikon me vëllain e ministrit për trafikimin e një sasie kanabisi.
Veliu dha sqarime për mënyrën se si është bërë ai përgjim, nëse ka dijeni dhe kohën kur ka ndodhur biseda. Përveç seancës së pyetjeve, atij iu regjistrua edhe zëri për ta krahasuar me audio-përgjimin. Ndërsa pasditen e së enjtes, Albert Veliu është marrë në pyetje nga Prokuroria e Tiranës, e cila po heton kallëzimin e bërë nga Agron Xhafaj për zyrtarët e Partisë Demokratike që bënë publik materialin.
Mësohet se 51-vjeçari i ka qëndruar dëshmisë së bërë publike, tashmë se personi që ai komunikon është vëllai i ministrit dhe se ai nuk ka dijeni se nga kush është bërë ai përgjim. Agron Xhafaj nga ana tjetër pretendon se nuk është zëri i tij në atë bisedë dhe çdo gjë është e montuar. Kjo është shtëpia e Veliut në Vlorë në lagjen 'Partizani'. Prej dy ditësh aty nuk nuk ka asnjë person. Fqinjët thonë se familja e dëshmitarit është larguar dhe nuk dihet destinacioni i saj.
Familja Veliu braktisi shtëpinë ku jetonte prej 22 vitesh, menjëherë pasi PD publikoi audio-përgjimin.