Të paktën 15 persona janë vënë në prangat e policisë, në një aksion blic në qytetin e Shkodrës, të akuzuar për gjobvënie dhe fajde.
Burime për Report TV bëjnë me dije se dhjetëra forca policie dhe të forcave FNSH kanë zbarkuar në qytetin verior që në orët e para të mëngjesit, në një operacion ku janë lëshuar rreth 16 urdhër-arreste.
Të njëjtat burime saktësojnë se arrestimet janë bërë pasi këta persona dyshohet se prej kohësh ushtronin veprimtarinë e paligjshëm të gjobvënies apo të dhënies së fajdeve tek qytetaret.
Deri më tani nuk janë bërë të ditur emrat e personave të arrestuar, ndërkohë që forcat e policisë janë vendosur në pika të ndryshme të Shkodrës.
Aksioni vazhdon ende ndërsa pritet që policia të japë më shumë detaje rreth këtij operacioni me emrat e të arrestuarve.