Kallamarë në tigan
Përbërësit:
500 gr kallamarë
1 qepë e vogël
1 thelb hudhër
200 gr domate të qëruara
1/2 tufë majdanoz
1 lgj stika pishe
1 lgj rrush i thatë
Vaj ulliri
Kripë dhe piper i zi
Përgatitja:
Në një tigan të thellë ngrohim vajin, e aromatizojmë atë me 1 thelb hudhër. Shtojmë qepën e grirë shumë imët dhe e kaurdisim deri sa të bëhet transparente. Shtojmë majdanozin e grirë imët, stikat e pishës, rrushin e thatë dhe i kaurdisim së bashku për 1 minutë. Shtojmë domatet, kallamarët e prerë në unaza me trashësi 0,5 cm, kripë e piper të zi dhe 1 gotë ujë.
E lëmë të ziejë 10 minuta dhe e largojmë duke e shërbyer të ngrohtë.
Sallatë me patate
Përbërësit:
500 gr patate
1 qepë e kuqe
100 ml lëng perimesh
3 lgj uthull
1 majë luge sheqer
1 kastravec
4 rrepa të kuq
1 lgj kopër e grirë
3 lgj vaj ulliri
Kripë
Përgatitja:
Lajmë mirë patatet, i ziejmë ato për 25 minuta në ujë të vluar. Derdhim ujin dhe i qërojmë ato sa janë të ngrohta dhe i lëmë të ftohen. Më pas i presim patatet në feta dhe i spërkasim me pak kripë. Qepën e presim në shirita dhe e vendosim të ziejë në lëng perimesh, uthull, një majë luge sheqer dhe pasi të ziejë për pak minuta e shtojmë mbi patatet e prera. Shtojmë vajin e ullirit, e përziejmë mirë me patatet dhe i lëmë të marinohen për 30 minuta të mbuluara. Presim kastarvecin në feta të holla, gjithashtu dhe rrepat dhe i shtojmë në sallatë. 10 minuta para se ta shërbejmë sallatën, e spërkatim me kopër të grirë