Ende të paqarta rrethanat, Trump pritet të dalë në konferencë për shtyp
Zyrtarë amerikanë kanë konfirmuar jozyrtarisht vrasjen në Siri të Abu Baker al-Bagdadit. Udhëheqësi famëkeq i organizatës terroriste Shteti Islamik raportohet se humbi jetën gjatë një operacioni sekret të ushtrisë amerikane në fshatin Barshia në Idlib, fare pranë kufirit sirian me Turqinë, ndër të paktat rajone nën kontroll të xhihadistëve. Këto pamje të transmetuara nga mediat irakiane tregojnë vendin ku Al-Bagdadi humbi jetën.
Vdekja e tij ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, teksa po kryen testet e ADN-së për të provuar nëse kufoma e gjetur në rrënoja është e tij. Sipas disa informacioneve, ka dyshime se Al-Bagdadi edhe mund të jetë vetëvrarë me eksploziv, për të mos rënë në duart e amerikanëve gjatë një aksioni me 8 helikopterë ushtarakë. Deri më tani, vrasjen e konfirmuan krerët e militantëve rajonalë kurdë, të cilët ndihmuan forcat amerikane në rajon. Ndërsa presidenti amerikan Donald Tramp shkroi në Twitter, se diçka e madhe kishte ndodhur, teksa ai pritet të dalë në një konferencë për shtyp për të dhënë detaje. Dyshimet për vrasjen e tij janë hedhur edhe më parë gjatë operacioneve ndërkombëtare kundër Shtetit Islamik në Siri e Irak.
Abu Bakër al-Bagdadi, 48-vjeç ishte i pari në listën e terroristëve ndërkombëtarë të kërkuar nga Uashingtoni. Në këtë listë ndodhej prej tetorit 2011, kur për kokën e tij u vu një shpërblim prej 10 milionë dollarësh. Në 2014-ën, pasi xhihadistët pushtuan Mosulin, Al-Bagdadi shpalli krijimin e Shtetit Islamik në një territor të gjerë që përfshinte zonat naftëmbajtëse të veriut të Irakut dhe Sirisë. Organizata e tij terroriste është përgjegjëse për qindra vrasje, masakrime, përdhunime e shfrytëzim për skllavëri mbi baza etnike e fetare të pakicave të popullsisë në territoret e pushtuara nga xhihadistët. Ndër më të persekutuarit ishte komuniteti Jazid në veri të Irakut, por edhe kurdët. Shteti Islamik është përgjegjës edhe për valën e sulmeve terroriste në Europë, ndër më të famshmit, ai ndaj redaksisë së revistës satirike Sharli Hebdo, më 7 janar 2015 ku humbën jetën 12 persona.
Tv Klan