Dy kate të një pallati në Pogradec u përfshinë nga flakët mesditën e së shtunës. Janë djegur plotësisht 12 apartamente. Ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit duke shkaktuar panik te banorët. Policia dhe forcat zjarrfikëse kanë evakuuar menjëherë qytetarët.
Sipas banorëve, forcat zjarrfikëse kanë mbërritur me vonesë dhe nuk kanë pasur ujë për të vënë nën kontroll flakët e mëdha.
Raportohet se një nga punonjësit e zjarrfikëses ka mbetur i lënduar në përpjekje për të shuar flakët, si edhe një prej banorëve të pallatit.
Në ndihmë të forcave zjarrfikëse të Pogradecit kanë shkuar edhe kolegët e tyre nga Prenjasi, Maliqi e Korça.
Sakaq, Bashkia e Pogradecit ka marrë masat për të strehuar banorët e prekur, por ende nuk dihet dëmi i shkaktuar.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një oxhak i papastruar në katin e pestë dhe më pas është përhapur me shpejtësi i ndihmuar edhe nga era.