Mediat dhe opinioni publik spekulon prej ditësh se çfarë fiton Shqipëria nëse pranon shkatërrimin e armëve kimike siriane në territorin e saj. Disa media iu referohen madje edhe burimeve konfidenciale brenda qeverisë së Tiranës, duke konfirmuar se SHBA-ja do të ofrojë një ndihmë të madhe për Shqipërinë, përmes një pakete që numëron 5 përfitime të rëndësishme.
Kjo paketë amerikane përfshin:
1. Ndihmë për sigurimin e Statusit të Vendit-Kandidat brenda dhjetorit
2. Ndihmë për aderimin e plotë të Shqipërisë në BE brenda mandatit të parë të qeverisë Rama
3. Mbulim financiar sa trefishi i Buxhetit të Shqipërisë (Buxheti i Shqipërisë për vitin 2012 ishte 4 miliardë dollarë, kështu që shuma e pritur e ndihmës financiare do të ishte mbi 10 miliardë dollarë)
4. Garantimi dhe dhënia e një statusi të veçantë për Shqipërinë në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku në proces përfshihet dhe heqja e vizave.
5. Propozimi i Shqipërisë për çmimin "Nobel" për paqen
Edhe shumë ekspertë të huaj kanë theksuar se Shqipëria mund të përfitonte nga ky proces. Shqipëria është zgjedhur si vendi adekuat për shkatërrimin e armëve siriane, falë afërsisë me Afrikën dhe përparësisë që ka nga deti, për zbarkimin e armëve. Ekspertët kanë theksuar se Shqipëria është zgjedhur gjithashtu edhe për eksperiencën e vazhdueshme që ka pasur në shkatërrimin e armëve të dikurshme nga regjimi komunist. Ata thonë se, me një marrëveshje të mirë dhe fitimprurëse, Shqipëria mund të përfitonte ndihma dhe financim në ngritjen e impianteve të shkatërrimit të lëndëve kimike, jo vetëm për të shpërbërë ato siriane, por edhe lëndë të mbetura nëpër depo të caktuara, që nga regjimi i mëparshëm. Sipas tyre, një marrëveshje e zgjuar dhe me vlerë të madhe parash do e bënte Shqipërinë akoma më të pastër, dhe me një status supranacional në sytë e SHBA-së. Admir Qose