TIRANË - Një kambist është grabitur sot në mbrëmje në Tiranë, pasi është qëlluar me sende të forta.
Siç bën të ditur gazetari i "A1 Report", Arsen Rusta, ngjarja ka ndodhur tek zona e quajtur, "Kodra e Diellit", rreth orës 18:40 dhe siç mësohet nga të dhënat e para, kambisti Gazmir Goga është sulmuar dhe qëlluar me sende të forta nga dy vetë.
Dy sulmuesit kanë qenë pa maska, të moshës 20-25 vjeç, dhe i kanë zënë pritë kambistit pikërisht tek garazhi i tij, teksa Goga ishte duke parkuar makinën pranë shtëpisë ku banon.
Fatmirësisht i kanë shkaktuar vetëm plagë të lehta dhe siç pretendon kambisti pas ngjarjes, atij i janë grabitur më pas 20 mijë dollarë dhe 2 milionë lekë të reja, dmth 4 milionë lekë.
Grabitësit kanë përfituar nga errësira dhe rrugica e futur, për t'u larguar nga vendngjarja, duke humbur shpejt gjurmët.
Forca të shumta policie kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.