TIRANË- Këshilli Bashkiak i Tiranës kërkon që t'i rikthehet emri "Dëshmorët e 4 shkurtit" rrugës "Ibrahim Rugova".
Pas ndërrimit të emrit të kësaj rruge me vendim të Këshillit Bashkiak në 28 dhjetor 2011, nga "Dëshmorët e 4 shkurtit" në "Ibrahim Rrugova", këshilli aktual bashkiak propozon që rrugës t'i vihet sërish emri i vjetër.
Këshilltari i LSI-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Endrit Braimllari ka dalë me një deklaratë për media, pikërisht për këtë çështje.
"70 vjet më parë populli i Tiranës përjetoi një ndër masakrat më të mëdha. Kemi propozuar rivendosjen e emrit Rruga "Dëshmorët e 4 shkurtit. Propozojmë ngritjen e një memoriali në emrat e të gjithë të pushkatuarve në shenjë nderimi", shprehet Brahimllari.
Ndryshimi i emrit të kësaj rruge kërkohet pikërisht një ditë para 4 shkurtit, ditës "ku 70 vjet më parë populli i Tiranës përjetoi një ndër masakrat më të mëdha, përjetoi terrorin e pushtuesve nazistë dhe bashkëpunëtorët e tyre, por Tirana dhe banorët e saj nuk harrojnë".
"Ne nuk harrojmë që Shqipëria e sotme i ka rrënjët te Lufta Nacional Çlirimtare, te gjaku i dëshmorëve, tek sakrifica e popullit antifashist dhe liridashës.
Në shenjë nderimi dhe respekti për sakrificat e popullit të Tiranës që mbështeti pa asnjë rezervë luftën Nacional Çlirimtare.
Në shenjë nderimi dhe mirënjohje të veçantë për ata që u masakruan 70 vite më parë nga terrori gjakatar i 4 shkurtit, grupi i këshilltarëve të LSI-së në këshillin bashkiak të Tiranës i ka dërguar Këshillit Bashkiak propozimin për të rivendosur emrin Rruga 'Dëshmorët e 4 shkurtit' dhe ngritjen e një memoriali në emrat e të gjithë të pushkatuarve", thuhet në deklaratën për shtyp të grupit të Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Edhe në momentin e ndërrimit të emrit të kësaj rruge, në 2011 nga "Dëshmorët e 4 shkurtit" në "Ibraim Rugova", Veteranët e Luftës së Dytë Botërore reaguan kundër një vendimi të tillë.
Ata nisën madje një letër protestë ndaj vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku akuzonin Lulzim Bashën se më këtë veprim bëhej palë me kolaboracionistët.