TIRANE- Transporti publik është paralizuar sot në Tiranë. Prej orës 05:00 asnjë autobus i linjave urbane që funksionon nëpër rrugët e kryeqytetit nuk ka nisur itinerarin e përditshëm të lëvizjes duke filluar grevën 24 orëshe që Sindikata e Transportit Urban kishte paralajmëruar para disa ditësh.
Në këtë situatë më të prekurit janë qytetarët të cilët në vend të biletës së urbanit i duhej të paguanin tarifën e taksive e cila është disa herë më e lartë dhe siç thonë ata nuk justifikon ditën e tyre të punës, apo të bëjnë disa kilometra në këmbë për të shkuar në destinacionin e tyre.
Shoqëritë e transporteve kërkojnë rritjen e biletës nga 30 në 70 lekë pasi thonë se nuk kanë mundësi të paguajnë drejtuesit e autobusëve dhe fatorinove.
Nga greva e transportit urban ato që janë më të goditurit sot janë qytetarët e kryeqytetit. Ndërkohë që kjo grevë lulëzoi sot edhe shërbimin e transportit taksi të palicensuar.
Shumë makina pa targa të verdha kanë transportuar qytetarët në destinacionin e tyre në mungesë të urbanëve. Meqë tarifa e taksisë nis nga 300 lekë (minimalja) dhe kjo tarifë rritet më pas në varësi të destinacionit qytetarët janë bashkuar në grup 3-4 dhe në marrëveshje me shoferin kanë ndarë shpenzimin e përbashkët për në destinacionin e kërkuar. Kjo me qëllim që secilit prej qytetarëve shuma që do të paguajë të mos jetë më e madhe se 100 lekë
Lëvizja e qytetarëve është vështirësuar më shumë këtë ditë edhe për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Ndonëse nëpër kryqëzime ishin angazhuar forca të shumta të policisë rrugore, sërish trafiku ka qenë i pakalueshëm.