TIRANE-Transporti publik në shqipëri është larg kushteve të sigurisë teknike dhe ngjason me periudhën e kisokave. Ka qenë ky krahasimi i ministrit të Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto gjatë tryezës me temë siguria rrugore në Shqipëri.
Ministri Haxhinasto kërkon që partitë e opozitës të mos pengojnë reformimin e transportiti publik në vend, i cili aktualisht bën që shqiptarët të udhëtojnë me mjete të cilat më tepër ngjasojnë si kioska dhe janë të padenja për një vend që aspiron integrimin europian.
"Ju e kujtoni siç ka qenë Parku "Rinia" dhe Lana plot me kioska sot është transformuar dhe e dimë të gjithë e njëjta situatë ndodhet sot dhe me transportin publik është i kjoskëzuar. Reformimi që ne do të bëjmë do e transformojë në një shërbim të denjë si një vend i Europës. Partitë e opozitës të mos e pengojnë reformimin"- tha Haxhinasto sot në tryezën për sigurinë rrugore në vend.
Ministri nënvizoi gjithashtu se sistemi i çertifikimit të automjeteve, dhënies së patentave do të jetë i mbrojtur nga korrupsioni dhe do të ndërhyhet në kode me qëllim që të rritet ndërgjegjësimi i publikut
"Sistemi do të jetë "corruption proof"(i imunizuar ndaj korrupsionit).Reformë do të bëhet në mënyrën e çertifikimit të automjeteve duke e bërë dhe këtë proces "corruption proof", pra që të mos ketë çertifikime që vijnë nga korrupsioni, nga blerja e tyre."-tha Haxhinasto.
"Janë rritur investimet për sigurinë rrugore në buxhet.Kemi një paketë masash ligjore dhe operative. Do ndërhyhet në kode,në ligj, me qëllim që të rrisim ndërgjegjësimin e publikut.Te përgatisim siç duhet drejtuesin e mjetit, sepse ai eshte shkaku kryesor i aksidenteve" - shtoi Haxhinasto.
Ndërkaq ambasadori i delegacionit të BE-së, Etore Sequi u shpreh se Bashkimi Evropian vlerëson ambicien e qeverisë dhe ministrisë për të vënë në prioritet dhe axhendë një ndër problemet e Shqipërisë.
"Këmbësorët janë ata që preken nga aksidentet. Numri i aksidenteve rrugore është shumë I lartë. BE do të asistojë qeverinë dhe të gjitha masat për sigurinë. Duhet të kuptojmë se siguria dhe promovimi i saj janë qasje mendore, e si të tilla duhen kuptuar"-tha ambasadori Sequi.