FIER- Për herë të parë, pas dy ditësh ka folur edhe ëma e shqiptarit të vrarë në burgun grek si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tij.
Resmije Kume ka treguar se djali i saj kërkonte drejtësi dhe jo vetëgjyqësi. Ndërsa vëllai i viktimës Shkëlqim Kume, ka treguar se kishte dy muaj që ai kishte shkëputur lidhjet telefonike me vëllain e tij.
E moshuara thotë se kishte shkuar disa herë të takonte të birin në burg por nuk ishte lejuar. Gjendja jo e mirë shëndetësore ka qenë arsyeja pse djali i saj kërkonte leje nga burgu për të ardhur në Shqipëri por nuk ishte lejuar.
E moshuara, Resmije Kume i bëj apel qeverisë shqiptare që të ndihmojë në transferimin e trupit të djalit të saj në Shqipëri.
ILIR KARLEI NJIHET EDHE SI KURDET KUME
Ai njihej edhe me emrin Kurdet Kume dhe jetonte vetëm me nënën dhe vëllain e tij. Babi i tij nuk është gjallë. Familja e tij banon në fshatin Zhupen të Komunës Qendër të Fierit, ndërsa nuk ka dashur të prononcohet për vdekjen e familjarit, Ilir Kareli, që në datë 25 mars vrau gardianin e burgut të Malandrinos në Greqi, ku ai vuante dënimin.
Ilir Kareli që në Greqi njihej si Ilia vdiq mbrëmjen e 27 marsit në burgun Nigratas në Greqi, ku ishte transferuar pas vrasjes së gardianait të burgut të Malandrinos të shtunën, datë 27 mars.
Raporti i ekspertizës tregoi se shqiptari 40-vjeçar vdiq si pasojë dhunës së ushtruar ndaj tij në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e gardianit.
Ai kishte thyerje të forta në kafazin e kraharorit dhe kishte të nxira në sy dhe në fytyrë.
Sipas raportit të ekspertizës që u publikua dje, shqiptari 40-vjeçar vdiq si pasojë të torturave të ushtruara ndaj tij në burgun Malandrinos pasi vrau gardianin e këtij burgu.
Ndërkaq, mjeku-ligjor hodhi dyshimin se shqiptari ishte torturuar edhe me elektroshok pasi në trupin e shqiptarit kishte djegie dhe plagë.
Në rrëfimin e tij, shqiptari pasi vrau gardianin në burgun Malandrinos në Greqi ka arsyetuar se kishte kryer vrasjen pasi nuk i lejohej të takonte nënën e tij të sëmurë.
Ndërsa Avokati i Popullit, Igli Totozani nëpërmjet një letre dërguar dje ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati i kë bërë thirrje që institucioni që ai drejton të qëndrojë më afër hetimeve për identifikimin e shkaqeve të vërteta të vdekjes së 40-vjeçarit shqiptar.