DURRES- Analiza për rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit ka qenë në fokus të një takimi që kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zhvilluar me anëtarët e strukturës së kësaj partie në Durrës. Duke u ndalur tek zgjedhjet brenda PD, Basha tha se pas fushatës së regjistrimit të anëtarëve të kësaj force politike, fillon hapi tjetër për motivimin, rinovimin dhe modernizimin e PD.
Në analizën e zhvilluar në seksionin nr. 1501 në Durrës, Basha tha se vota është i vetmi pushtet që do të funksionojë në PD për të zgjedhur drejtuesit e rinj të kësaj partie, dhe se nuk do të ketë seleksionim të kandidatëve.
Sipas Bashës "Kryetarët, sekretarët, anëtarët e kryesive, delegatët, të gjithë do të dalin nga vota e lirë e anëtarëve".
"Nuk ka dhe nuk mund të ketë të preferuar të kryetarit apo të dikujt tjetër në këtë proces. Pushteti është i votës së anëtarëve të PD, ndaj edhe synimi ynë është të zgjedhim me votë më të mirët, më të aftët, më të përkushtuarit, më të ndershmit. PD nuk është parti e dikujt, nuk është parti e disave, është partia e të gjithë demokratëve. Çdo demokrat është pjesë e kësaj partie, ka aksionet e veta në këtë parti, çdo demokrat ka një votë në këtë proces, pavarësisht se çfarë pozicioni ka apo do të ketë në strukturat e PD" -- theksoi kreu i PD.
Kryetari i PD ka theksuar se gara është e hapur për këdo që do t'i bashkohet kësaj force politike.